BREAKING NEWS

Ambasadori gjerman i shkon në zyrë Bashës, zbardhet çfarë u diskutua

Ambasadori gjerman i shkon në zyrë Bashës, zbardhet
x
BREAKING NEWS

“Tërmet!”/ Media rumune publikon faktet dhe shkruan për ndryshimet rrënjësore që pritet të ndodhin:Harta mund të ndryshojë, Shqipëria dhe Kosova do bashkohen

“Tërmet!”/ Media rumune publikon faktet dhe shkruan për
x
BREAKING NEWS

Ditë e trishtë për kinematografinë/ Ndahet nga jeta aktori i njohur shqiptar (EMRI+FOTO)

Ditë e trishtë për kinematografinë/ Ndahet nga jeta aktori i
x
BREAKING NEWS

Thellohet përplasja mes presidencës dhe Qeverisë/ "Shkel kushtetutën dhe autonominë e pushtetit vendor", Ilir Meta del me vendimin më të fundit

Thellohet përplasja mes presidencës dhe Qeverisë/ "Shkel
x
BREAKING NEWS

“Provat për shpalljen ‘non-grata’ i siguroi FBI dhe CIA”, Spartak Ngjela plas ‘bombën’ për Sali Berishën

“Provat për shpalljen ‘non-grata’ i siguroi FBI dhe
x
BREAKING NEWS

Ulsi Manja me ‘dorë të fortë”, del me paralajmërimin e rëndësishëm

Ulsi Manja me ‘dorë të fortë”, del me
x
BREAKING NEWS

Humbje e madhe për artin shqiptar, ndahet nga jeta piktori i njohur, një nga më të mirët në zhanrin e peisazhit (EMRI+FOTO)

Humbje e madhe për artin shqiptar, ndahet nga jeta piktori i njohur,
x
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela: Metën e Berishën i ka bërë bashkë korrupsioni dhe frika e SPAK, nuk trembet SHBA me “Foltore”, 3 makina policie duhen për t’i arrestuar

Spartak Ngjela: Metën e Berishën i ka bërë bashkë
x

Opinion / Editorial

Një monografi për personalitetin kompleks të aktorit Seit Boshnjaku!

Një monografi për personalitetin kompleks të aktorit Seit

1. Vlerat e monografisë…

Këto ditë doli nga botimi dhe u promovua në një ceremoni shumë interesante, monografia “Sfidat e jetës së Seit Boshnjakut”, shkruar nga Prof. Dr. Ago Nezha. Një vepër e realizuar me përgjegjësi dhe frymëzim, kushtuar për këtë njeri që ka një pasuri jetike me një dialektikë jetësore interesante, duke qenë njëkohësisht dhe në të njëjtën kohë jo vetëm një qytetar i mirë shkodran, por edhe një personalitet i njohur, një nga aktorët e mëdhenj për luajtjen me mjeshtëri të lartë të figurave dinamike e të larmishme teatrore, sidomos të “roleve të vogla”. Nëse do ta klasifikonim këtë vepër si “gjini”, ajo padyshim është së pari në formatin e sigurt të monografisë. Por nëse veprës do t’i bëjmë një prerje të brendshme dhe diagnozë tipologjike diferenciale, duhet pranuar se ajo është një vepër sinkretike që ndërtohet mbi bazën e dy “shtyllave” që krijojnë një “unitet” midis të vërtetës historike të jetës objektive individuale e të personalizuar të Seit Boshnjakut dhe krijimit të një vepre të vërtetë letrare. Autori ka ndërtuar arkitekturën e librit duke kombinuar me elegancë hapësirën e konteksteve historike e personale, në të cilat është rritur dhe zhvilluar personaliteti intim, human e social i Seit Boshnjakut. Ky unitet delikat, jo i lehtë për t’u realizuar pa sforcime e kërcitje subjektive, është nja nga meritat e autorit të monografisë. Shkrirja e “limfës krijuese” duke ruajtur sensin e masës, pa idolatrizuar artificialisht subjektin, por edhe pa e deformuar subjektin, është kuintesenca e librit.

Autori ka ditur të kalojë me sukses dhe inteligjencë “kurthin e rrezikshëm” midis njeriut të afërt (autori monografisë është dhëndër i Seitit) dhe sovranitetit të studiuesit, duke bërë dikotomi të saktë të shpirtit me mendjen, të anës emocionale me atë racionale, të dëshirës me të vërtetën, si shprehje e përgjegjësisë morale, historike e intelektuale. Monografia sjell fakte, ngjarje argumente mbushamendëse, që të japin të drejtën të pranosh pa asnjë diskutim, se Seiti në skenë ishte një aktor me fizionomi të qartë, diapazon të gjerë dhe autoritet artistik të padiskutueshëm. Monografia sjell një pasuri pa fund faktesh që të bindin se Seit Boshnjaku ishte në të njëjtën kohë dhe mbi të gjitha një njeri me botë të madhe shpirtërore, emocionale e sociale që diti mbi të gjitha të ishte një “aktor” serioz, i vërtetë që gjatë gjithë jetës diti të ishte edhe “autor i dramës” së vet. Të cilat i luajti me kurajo, kujdes dhe sukses të padyshimtë. Monografia nuk është thjesht histori lineare e jetës së një njeriu. Autori duke i qëndruar konsekuent objektit të të menduarit (jetës personale të Seit Boshnjakut) ka mundur t’i japë një dimension sinkretik dhe filozofik. Kjo sepse ai librin e ka ndërtuar mbi një strukturë të menduar mirë, kompakte, gjithëpërfshirëse dhe sistemike. Një vepër historike e bazuar në konkretësinë kronologjike dhe ngjarjeve të vërteta e të sakta. Kjo pastaj e bashkuar me anën letrare, gjuhën dinamike e potencialin estetik, e bëjnë atë të dashur për lexuesin…

2. Seit Boshnjaku ose “njeriu i vërtetë”…

Në monografi me shumë kujdes është realizuar portretizimi me sens realist, në masën e duhur rruga historike e Seitit në të gjithë etapat e jetës. Pa glorifikime të panevojshme, apo detaje të tepërta, për ta artificializuar personalitetin në përmasa të panevojshme. Monografia ka gati 30 faqe histori, që janë si preambul e monografisë, për të ndërtuar ontologjinë historike që lidhet organikisht me fenomenologjinë e jetës interesante të aktorit të njohur të skenës dhe kinematografisë. Ai kthehet nga Italia në 1943 dhe kjo është koha e fillimit të aktivitetit revolucionar militant në Shkodër. Pastaj janë ngjarje më intensive sikurse është burgosja e tij në 1943 apo historia e dërgimit në kampin e përqendrimit në Prishtinë, në të cilin në një nga ditët u pushkatuan 104 shqiptarë. E përshkruar nga autori gati në përmasat e një skenari kinematografik.

Diagrama e ndërtimit të “arkitekturës” dhe fizionomisë personale e sociale të Seitit, është realizuar duke kombinuar bukur raportet midis njeriut konkret, historisë personale dhe raporteve që ai ka patur me rolet që ka luajtur në jetë: si fëmijë, i ri revolucionar, i burgosur, militant i Luftës Nacionalçlirimtare, si aktor, bashkëshort, baba, mik e njeri me përmasa të njohura sociale e komunitare. Bir i pakicave boshnjake me një histori interesante të “personalizuar” bukur nga Ago Nezha. Këtu dhe në disa raste të tjera Ago Nezha gjen rastin për të bërë digresione të gjëra politiko-sociale, për të drejtat e minoriteteve në periudha të caktuara historike. Këtë e bën edhe diku tjetër, duke i bërë ditirambe të merituara rolit të familjes shqiptare si një nga institucionet e “sigurisë morale”. Seiti pasi bën 6 klasë, fillon punë në një dyqan këpucësh, lidhet me shokë dhe krijojnë një shoqatë kundër regjimit të kohës. Shoqata “Atmja e lirë” ku ai merr pjesë, është një nga format fillestare të shoqërisë civile në Shkodër, por dhe me “verb” të qartë patriotik dhe artistik. Aty vihet në skenë drama “Filja” e Hilë Mosit. Seiti luan rolin e Cubit. Këtu shfaqen shenjat e para, por të sigurta të talentit artistik. Polivalenca e talentit të tij evidentohet e kristalizuar më qartë dhe në mënyrë evidente në dramën “Testamenti misterioz”, në të cilin ai debuton me sukses në një nga rolet kryesore. Në periudhën para çlirimit të vendit vazhdojnë shfaqjet amatore, vazhdon dhe historia artistike dhe skalitja e vazhduar e talentit aktoresk të Seitit. Madje edhe si regjisor.

3. Seit Boshnjaku dhe triumfi mbi “kurthet e jetës”…

Unë nuk e kam njohur personalisht Seitin, kështu që njohja ime për dimensionalitetin e figurës së tij është “periferike” dhe mbase e sipërfaqshme. Por kur lexon deri në fund monografinë, të bëhen të njohura dhe të afërta të gjitha tiparet e jetës së tij, të skalitura. Si në ekran parakalojnë cilësitë humane, vetitë qytetare, diapazoni artistik, temperamenti dhe personaliteti integral. Pse jo bashkë me një paraqitje të “anës së jashtme” antropometrike të Seitit. Duke e sjellë atë të “gjallë” në sytë dhe mendjen e lexuesit, qoftë edhe për ata si puna ime, që nuk e kanë njohur personalisht atë. Duket qartë nga përshkrimet që Seiti nuk e ka patur të lehtë jetën. Por ajo që evidentohet faqe pas faqesh është e vërteta, se ai i kaloi me sukses “kurthet e jetës”, në kohë të këqija e të vështira, në luftë dhe në paqe, duke qenë gjithnjë i orientuar drejt me imperativat e kohës së tij. Natyra biofilike e tij, është me sa duket faktori dhe “arma” që e nxori në “bilanc të fundit” fitimtar përballë stuhive të jetës

4. Jeta aktoriale profesioniste…

Figura artistike dhe personaliteti si aktor kapin një pjesë të konsiderueshme të monografisë. Dhe kjo është e natyrshme sepse ka kapur pjesën më të madhe, peshën kryesore të jetës individuale të Seitit. Aktor polivalent që dinte pavarësisht nga madhësia e rolit apo rëndësia e figurës në vepër (qëndrore apo periferike) ai ishte mjeshtër për gjetjen adekuate të “lëkurës së rolit”. Qoftë në teatër apo në kinematografi. Ai sipas mendimit tim, është një nga rastet elokuente dhe njëri nga aktorët që vërteton tezën e njohur estetike, se në artin skenik dhe kinematografik nuk ka rol të “madh” apo rol të “vogël”, por ka aktor të madh dhe aktor minor, artistikisht periferik. Seiti punoi gjatë dhe ka dhënë kontribute të gjëra e konsistente në galerinë e gjerë të personazheve të krijuar në skenën e madhe të Teatrit Popullor. Janë mbi 50 role të skalitura prej tij. Autori i monografisë i ka dhënë në mënyrë lineare dhe kronologjike këto realizime që Seiti ka realizuar, duke qenë i pandarë nga jeta teatrore që nga fëmijëria, rinia e derisa u largua nga kjo jetë. Gjithë jetën ka qënë i pandarë nga “bota” e magjishme e teatrit, i cili sikurse dihet është vendi i aktorëve, që janë njerëz shoqërisht të respektueshëm

5. Familja etike dhe “dinastike” e Seitit…

Kur ecën nëpër faqet e monografisë, përballesh përveç me dialektikën e jetës së personalizuar të Seit Boshnjakut, diagramën biografike nominale të tij, si bashkëshort, prind, qytetar, vlerat morale e humanizmi i njohur i tij, por bashkë me to gradualisht ravijëzohen edhe konturet e gjëra të familjes së tij biologjike. Një familje që herë shfaqet me dimensione të qarta, të kristalizuara etike e herë me tipare të familjes shkodrane “dinastike”. Autori monografisë e ka menduar të udhës, të zgjerojë kontekstin biografik e social të familjes Boshnjaku, duke skalitur disa nga figurat më korrelacionale me lidhje gjaku me Seitin. Ai ka skalitur me “daltë të hollë” jo vetëm personazhin kryesor, por dhe një galeri të tërë me personazhe të rëndësishëm, komplementarë me figurën kryesore, sikurse janë prindërit, vëllezërit, motrat dhe mbi të gjithë edhe katër fëmijët aq shumë të dashur të Seitit. Sidomos pikante është ravijëzimi i tipareve të njërës prej vajzave të Seitit, Lilit (bashkëshortja e autorit të monografisë) dhe ditirambi i ngrohtë i lidhjeve të veçanta emocionale të tyre.

+ + +

Por le të kthehemi edhe njëherë për ta mbyllur analizën. Monografia evidenton një të vërtetë sinkretike të jetës së Seit Boshnjakut: Kur “arbitri” fishkëlleu “fundin e lojës” së jetës së tij në 1985, rezultati ishte spektakolar: Jeta e tij ishte diçka me vlerë, që e vlejti të jetohet me dinjitet. Tani Seit Boshnjaku ka veprën e vet historike, që është një “fait açompli”, por të cilën Ago Nezha e ngjeshi më shumë artistikisht, duke synuar që dimensioneve të jetës personale e private të Seitit t’i japë një dimension social më të gjerë dhe vlerat e jetës së tij t’i kthejë në kohë, si objekt i krenarisë së ligjshme për familjen Boshnjaku, por edhe të shërbejnë si një arketip social për “pinjollët” e fisit Boshnjaku, por me siguri edhe më gjerë…