BREAKING NEWS

Berisha dhe fëmijët e tij me dosje në SPAK, ish-kryeministri në alarm nga rreziku i hetimeve, mohon zërat dhe ju çon mesazh prokurorëve

Berisha dhe fëmijët e tij me dosje në SPAK, ish-kryeministri
x
BREAKING NEWS

Bujar Çela: Pas Berishës edhe Meta do shpallet “non grata”, e ardhmja e tyre është burgu, koha të japin llogari për aferat ku janë zhytur

Bujar Çela: Pas Berishës edhe Meta do shpallet “non
x
BREAKING NEWS

SPAK nis hetimin për mbi 120 zyrtarë të zhytur në afera, valë procedimesh gjatë vitit 2021, shtohen dosjet e korrupsionit në duart e specialëve

SPAK nis hetimin për mbi 120 zyrtarë të zhytur në afera,
x
BREAKING NEWS

Si u aksidentua eskorta e Sali Berishës në Laç, një mjet hyri kundravajtje / Ja gjendja shëndetësore e ish-kryeministrit

Si u aksidentua eskorta e Sali Berishës në Laç, një mjet
x
BREAKING NEWS

E rëndë në Kosovë! Breshëri plumbash ndaj një autobusi me nxënës, dyshohet për viktima dhe të plagosur

E rëndë në Kosovë! Breshëri plumbash ndaj një
x
BREAKING NEWS

Varianti i ri i koronavirusit quhet Omicron, OBSH e shqetësuar: Ka një numër të madh mutacionesh

Varianti i ri i koronavirusit quhet Omicron, OBSH e shqetësuar: Ka një
x
BREAKING NEWS

“Je i përshtatshëm për qelitë e Shqipërisë dhe SHBA-së”, Sali Berisha e paralajmëroi me burg pas largimit të Ramës, reagon për herë të parë Lulzim Basha

“Je i përshtatshëm për qelitë e Shqipërisë
x
BREAKING NEWS

Sali Berisha i kujton Ramës paralajmërimin që i ka bërë Fatos Nanos kur ishte kryeministër: Kjo vlen edhe për ty, nuk do të bierë më mendja për Lul pengun

Sali Berisha i kujton Ramës paralajmërimin që i ka bërë
x

Opinion / Editorial

"Këmisha e bardhë", mund të fshehë antiplumbin, por jo “malin” me të zeza...

"Këmisha e bardhë", mund të fshehë antiplumbin,

...Siç po vepron Saliu me “foltoret” e tij të famshme që as më shumë e as më pak janë treguesi i grahmave të fundit të “berishizmit”! Duam apo nuk duam të besojmë, kjo është e vërteta pavarësisht ilaritetit që kërkojnë të shkaktojnë disa ithtarë të tij, të pakënaqur nga qeverisja apo në konflikte interesi me Berishën, ku të tilla ka e do të ketë për sa kohë do të ketë mendime ndryshe e më keq akoma, “qeverisje rrumpallë”. Të tjerë, arrijnë deri atje sa të shprehen për rrëmbimin e kallashëve e të ndjekin Saliun, apo të thyejnë ligjet e “arrestit shtëpiak” e të shkojnë të ndjekin Saliun. Në këtë rast, Saliu, jo vetëm që nuk ndërhyri, të paktën formalisht si “njeri i paqes”, por nuk e fshihte dot ngazëllimin që ndjen kur dëgjon fjalën “kallash” sepse jo njëherë ka bërë thirrje,“I bëj thirrje popullit shqiptar të rrëmbejnë armët për të mbrojtur pronën e tyre nga shteti i hajdutëve”! Lind pyetja: Mirë Saliu që kështu është “prerë”, kështu është “qepur” dhe kështu po i “shqyhen” edhe “arnat” e fundit të “berishizmit” po ky shtet çfarë bën? Me këtë shtet sehirxhi, Saliu do të vazhdojë t’i lozi si “ariun” këta shtetarë që nuk para u intereson shumë zbatimi i ligjeve. Por, kjo është një temë tjetër dhe le të kthehemi tek Foltoret e Saliu që jo vetëm ata që i shkojnë nga pas e mbushin sallën i bën për të qeshur, por edhe ata që nuk janë prezent. Ai, mund të veshi të njëjtën këmishë të bardhë për t’u hequr si njeri i paqes, por egërsia e tij, jo për kundërshtarin politik apo për “kukullën” e Partisë Demokratike që e sajoi vetë dhe e vendosi në krye të saj, por për Shqipërinë, për Partinë Demokratike, për shoqërinë në përgjithësi, nuk ka kufi. Gjithçka mund t’i interesojë Saliut, vetëm stabiliteti i Shqipërisë jo, vetëm uniteti midis shqiptarëve jo, vetëm një ekonomi e fortë jo. Saliut, i ka interesuar dhe i intereson vetëm e keqja e këtij vendi, ai ndjell vetëm zi dhe këtë edhe njëherë po e tregon Foltorja me ndjekësit e tij. Në tërë këtë turravrap që ka marrë, këtë “yrysh” të papërmbajtur, tregon vetëm “kodra pas bregut”, nuk është ashtu siç thonë disa kundërshtarë të tij që nuk dihet se çfarë kërkon e ku kërkon të dalë. Nuk është ashtu që ai kërkon vetëm të baltosi “kukullën” që e bëri “pilaf” në krye të partisë, e deri sot e ka llastuar dhe tani po i vë shkelmin. Ky demagog dhe hipokrit i shquar një jetë të tërë si i tillë, përtej përrallave që tregon në “Foltore” ka një qëllim të vetëm. Të vijë edhe njëherë në krye të partisë e më pas me këtë “armë” të vijë në pushtet e të hedhi poshtë gjithçka ka bërë sipas parimit: “O Sali t’u bëfsha ferrë, merr pushtetin edhe njëherë”. Sipas tij, tashmë e ka të lehtë. Duke hedhur poshtë ndëshkimin “non grata” të amerikanëve, nëpërmjet kësaj ai “pastron” tërë biografinë e tij tridhjetëvjeçare dhe mbasi të ketë shkuar e tija do të pleqërojë i lumtur. Ai, nuk para e ka qejf të vijë në pushtet me votë. Ai ua ka marrë mirë dorën edhe tankeve edhe antitankeve dhe topave e gjithçka! Por edhe keq nuk e ka përderisa ka gjetur njerëz që u “ha qurret kaposhi” edhe në pushtet edhe në drejtësi edhe në opozitë e kudo. Siç mësohet, kërkon të vërë në pozita gjoja demokratike partinë që krijoi, e cila sot është në ditët e saj më të këqija. Po kush është shkaktari i vërtetë për këtë? Është vetë ky hipokrit i pandreqshëm që nuk kërkon asgjë më shumë përveç largimit të “kukullës” së tij e për të treguar edhe njëherë që ai “triumfon” edhe mbi Amerikën e më pas të “triumfojë” edhe mbi UFO-t, në qoftë se ata e shpallin “non grata” për në hapësirë! Ky njeri i paqes nuk e ka përmendur njëherë të vetme “kontributin” e tij në dëm të interesave kombëtare, të paqes së vërtetë, të unitetit të vërtetë e të traumave të shumta që i ka shkaktuar këtij populli. Gjoja sikur urrejtja e tij bie mbi dy kundërshtarët politikë, Ramën dhe “pengun” e tij Basha, por në fakt ajo shkon më tej... As vetë nuk e kupton që ndjekësit e tij, me duartrokitjet e tyre “frenetike” janë një tregues që nuk kërkon shumë koment për pakënaqësinë e tyre për mënyrën se si e ka drejtuar Partinë Demokratike Basha, i cili në krye të saj ka qenë vetëm formalisht, por kryetari i vërtetë i saj edhe në këto tetë vite ka qenë dhe është Berisha. Këto, nuk janë dashuri për Saliun, por janë urrejtje e grumbulluar për Berishën që ka drejtuar Partinë Demokratike, haptazi si Basha, apo në “hije” si Sali! Sot pra “foltoret” e Saliut janë tregues i dështimit të Berishës, sepse një “kolopuçi” në krye të Partisë Demokratike, nuk i kanë besuar fare as opozitarët e tjerë formalë si LSI-stët, Idrizistët, Xhuvelistët, Medinjtë kukulla apo Nard Ndokistët, por as edhe vetë anëtarët e tij që mban rreth vetes. Kur Saliu e pa që “frenat” që i mbante Bashës nga mbrapa “perdes” iu këputën, kërceu vetë në “skenë” për të “mprehur edhe njëherë shpatën për situatën” e të shpëtojë sa mund të shpëtojë nga reputacioni i tij tashmë i falimentuar, por jo reputacionin e partisë. Shikoni dhe dëgjoni se si ai të bën për të qeshur: “Në zgjedhjet e 2017-ës ne kishim një kompani që kryente sondazhet, e cila punoi shumë mirë dhe unë i thashë atyre që Lulzim Basha, është një lider i “thyer”! Ata, stepën dhe shprehen habi (me siguri nga kjo mençuri e madhe e Saliut). Po, po është një lider i thyer” i thashë, sepse iu zuri “pritë” dhe i “pushkatoi” një nga një shumë figura me reputacion të partisë dhe këtë e bëri pabesisht, të cilët edhe vetë këta të përjashtuar, mosvendosjen e tyre në listë e morën vesh nga radiot e huaja”! Kjo është e vërtetë, por pse Saliu e la të lirë këtë “furkaçe të thyer” që të “bashkonte” këtë parti të “thyer” në disa “copa qeramidhesh” që i kishte mbetur, por e la që të vazhdonte derisa pabesia e Bashës të binte në kokën e Saliut! A e beson kush këtë Sali sot që i “dhemb shpirti” për Partinë Demokratike? Absolutisht që jo. E kush nuk i mban mënd që shumë nga këto figura që i përjashtoi Basha nga PD-ja shkuan e iu ankuan Saliut dhe ky i përcillte: “Kjo është zgjedhja e tij dhe unë nuk mund të ndërhyj”! Por ja që Saliu ndërhyri kur “çekani i pabesisë” së Bashës, ra mbi të dhe jo kur ra mbi tërë ata intelektualë që me të mirat e me të ligat e tyre ishin shumë më lart nga Basha. Saliu pra, i ka mbajtur “vëth në vesh” gjithçka ka bërë Basha, që këto t’ia numëronte kur të vinte koha që Saliu e kishte parashikuar siç edhe erdhi sot. “Hingëllimat” e Saliut vazhdojnë edhe më tej. “Unë e kam telefonin plot me gjithçka më ka thënë Basha, sepse i kam të incizuara”! A mundet të arrijë një “lider historik” pavarësisht që është formal dhe i të nëntëdhjetë e nëntave, të arrije deri atje sa të incizojë edhe kolegët e tij që edhe këto, t’i kishte si dëshmi kur të vinte koha? Pra ai, e ka ditur me kohë se cili ishte kryetari i Partisë Demokratike, por e lejonte të vazhdonte me “tralalatë” e tij përderisa nuk prekeshin interesat e “babait” të tij politik në mënyrë që “mëkëmbësi” i tij të konsumohej sa më shumë, të shpartallohej plotësisht që kur të vinte koha, të ndërhynte i “gjithëpushtetshmi” dhe të rivendoste situatën në partinë që i ka mbetur vetëm emri.

Hipokrizia e tij, shkon edhe më tej kur thotë që “Nuk e njihte Lulin”! Si nuk e paska njohur Lulin ky “burrë” në një kohë që e kishte dy herë në funksionin e ministrit edhe atë të Transporteve edhe atë të Brendshëm  edhe njëherë si kryetar bashkie që ka bërë vetëm zullume dhe ka qënë më i përfoluri nga të gjithë ministrat e asaj kohe dhe përsëri, Saliu “nuk e njihte”! A e beson kush këtë? Do të ishte sadopak i besueshëm Saliu sikur të fliste jo për tërë të zezat që ka shkaktuar gjatë tridhjetë viteve të mbretërimit të tij në politikë, duke filluar qysh nga shkelja e embargos së naftës, eliminimi i shumë figurave në Partinë Demokratike në gjurmët e të cilit ecën edhe Basha sot, firmat piramidale, shkatërrimi dhe bërja pluhur i shtetit të tij “demokratik” siç e propagandonte e dhjetëra e dhjetëra të tjera? A mund të besohet ai kur thotë që në zgjedhjet për kryetar partie midis Olldashit dhe Bashës, ky i fundit fitoi sepse iu krijua mundësia të ishte kryetar bashkie, duke mos përmendur gjithçka ai bëri për të fituar Basha? Saliu, i ka lejuar Bashës një “mal” me gabime dhe nuk ka folur, sot ai del nëpër foltore që nëpërmjet sulmit që i bën Bashës dhe Ramës, të fitojë diçka për vete edhe në këtë moshë që i kanë rënë “pendët”! Në turravrapin e tij nëpër foltore, sikur të mos i mjaftonin zonjushat e televizionit familjar të tij me Çim Pekën, por i vjen në ndihmë njëfarë Kokalari nga Amerika, e cila lë mënjanë fshesën e pastrimit të shkallëve të Kapitolit në Amerikë dhe erdhi me vrap për të ngritur prestigjin e Saliut “non grata” e ta shërojë me të njëjtin “ilaç” amerikan, Kokalari sikur të ishte përfaqësuese e Kongresit amerikan! Sa poshtë që kanë rënë bërisholulashët e Partisë Demokratike, por edhe ata që u besojnë këtyre që ofendojnë qytetarët sikur këta të ishin “kunguj” dhe jo qytetarë shqiptarë, pavarësisht të cilës forcë politike janë. Ja ç’thotë kjo “fshesaxheshë” amerikane. “Sot për sot, në Amerikë është e majta në pushtet dhe juve mos i besoni shumë sepse Amerika mbron qeverinë tuaj në pushtet, por shumë shpejt në Amerikë do të vijë e djathta dhe ju do të “shijoni” frytet e “ëmbla” që shumë shpejt Saliut do t’i hiqet ndëshkimi “non grata” që i ka dhënë Kongresi i të majtëve në pushtet”. Këtë të “mençur” nuk e besoj ta besojë as Trampi! “Faji për këtë, nuk është i Kokalarit, por është i votuesve amerikanë që sollën në pushtet të majtën, pa e pyetur Kokalarin e “persekutuar” me shumë hije dyshimi prej nga është dhe nga vjen... Megjithatë, ajo është një faktor shumë i “rëndësishëm” i ardhur nga përtej Oqeanit,, me të njëjtën “bojë” amerikane për të fshirë “non gratan” e Saliut..! O Tempora o Mores..!.Përtej të gjithave sa ka bërë e do të bëjë Saliu me “Foltoret” e tij, një gjë është e sigurt. Nuk është ashtu si thoshte dikur Beqir Balluku që “kur përplasen dy “vezë”, njëra do të thyhet”! Kjo përplasje Berisha e Basha janë “vezë” të njëjta, brenda llojit dhe si e tillë, nuk do të jetë as njëri dhe as tjetri fitues. Të dy janë të “thyer” po të flasim me gjuhën e Saliut, e bashkë me thyerjen e tyre, shumë shpejt do të vijë edhe fundi i epokës “Berishiane”!